Diktatura e bukës së gojës

Mirela Luka është vetëm 32 vjeçe, por në supe i rëndojnë më shumë. Përballë rritjes së 3 vajzave dhe dhunës nga bashkëshorti, Mirela ndjehet e pafuqishme.

Stresi e ka vënë përfund, ku as mjekimi nuk i bën derman. Jetojnë në një dhomë në Vorë, të dhënë nga shteti, pa asnjë burim financiar dhe prej muajit shkurt pa ndihmë ekonomike.

“Bashkëshortit tim i ofruan një punë, por ai nuk shkoi dhe për faj të tij, pasojat i vuajnë 3 vajzat. Nuk më lajmëruan më parë, vetëm kur shkoj të tërheq lekët, më thonë që më është hequr ndihma ekonomike. Mu përmbys bota. Çfarë do të bëj unë tani!? Me çfarë t’i ushqej këto vajza, me çfarë t’ia blej ilaçet apo pompën, vajzës që e kam me astmë”– rrëfen mes lotësh, Mirela për Tirana Today.

Mirela Luka

Ëngjëllushe Broli, nënë e 3 fëmijëve. Jetojnë në një dhomë të improvizuar në një pallat në Kombinat.

Çdo ditë del në rrugë për të kërkuar punë në të zezë, sepse “ngjyra e lëkurës” e pengon të ketë punë të qëndrueshme. Ajo është kryefamiljarja dhe prej muajit shkurt, i është hequr ndihma ekonomike.

Ëngjëllushe Broli

Për to, të vetmet forca janë fëmijët. Njëra shet flokët, e tjetra mendon të japë veshkën.

Një portretizim i poemës së Migjenit, ashtu është jeta për këta 6 të mitur. Ndjejnë turp, inat, diferencim, janë ata më fatkeqit.

Mjerimi i ka prekur dhe nuk dinë se si të shpëtojnë.

“Kemi qëndruar pa ngrënë gjithë ato ditë. Duam dhe ne të jemi si shoqet tona, e të kemi shtëpi, rroba si ato”, thonë ato të mundura nga trishtimi.

Më shumë se 20 mijë familjeve iu është hequr ndihma ekonomike. Edhe pse ekziston mundësia të jenë pjesë e 6% të fondeve nga Bashkia, fonde të cilat do të ndahen për familjet në nevojë dhe atyre që janë përjashtuar nga ndihma ekonomike.

Por, përsëri Mirela dhe Ëngjëllushja nuk e dinë nëse do të jenë pjesë.

Ato dhe fëmijët e tyre do vazhdojnë t’i ngrysin netët të uritur dhe të shpresojnë që nesër të kenë çfarë të hanë, nesër… Tirana Today

TIRANA TODAY

Leave a Reply

Social Media Integration by Acurax Wordpress Developers
%d bloggers like this:
Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter