Dita e Verës/ Festa e vërtetë e Shqipëtarëve, simbolika e kësaj dite …

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse. Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te (VALMIT) Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve.

Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Përshkrimin e parë e kemi nga i madhi Faik Konica,Ç’është Dita e Verës? / Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve.Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira.Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.(Faik Bej Konica, Botuar më 1911), i cili gati 100 vjet më parë, në kohën e sundimit osman, shkruante me atë stilin e vet elegant.

Historia e festës tradicionale
Që në kohët antike, tempulli i 14 marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë. Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikas, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por, festa e Verës që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehëronin portokallet dhe ullinjtë.

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri- tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Rituali i Ditës së Verës, katër fazat e festës
Festa pagane ka ritualin e saj. Ritet janë trashëguar brez pas brezi ndoshta për 24 shekuj me radhe. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Diane, sot ato praktikohen për një jete me te mire te mbushur me gëzim, dashuri dhe begati. Studiuesi dhe muzikologu i njohur Thanas Meksi e ndan ne kater faza Festen e Ditës së Verës.

Faza e pare është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireteve qe janë te nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dyte është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e trete mëngjesi i Ditës së Verës qe nis me 14 mars dhe se fundi pikniku i Ditës së Verës ne mesditën e 14 marsit. Ne vigjilje te natës se Ditës së Verës, çdo shtepi e këtij qyteti është e mbushur me një gëzim te veçante, është një ndjesi qe i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit te farës dhe sytheve qe janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë. Shtëpia mbushet plot me gjera te mira dhe me bollëk. Porta zbukurohet me lule dhe lastarë te gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjate kësaj nate te afërmit, por edhe shoke e miq te ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra te shoqëruar me kuzhinën me nam te Elbasanit.

Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjate kësaj nate fillon te ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit me te afërm. Mëngjesi është i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars dhe me një përkushtim te veçante hapin derën qe te futet e mira dhe te dale e liga.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Social Media Integration by Acurax Wordpress Developers
%d bloggers like this:
Visit Us On FacebookVisit Us On Twitter